Secondary Adv

1.1 mld euro investime publike të pashpenzuara në 8 muaj, realizohet vetëm 34 për qind e buxhetit

Investimet publike kanë shënuar një nivel të ulët realizimi gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026.

Nga rreth 158 miliardë lekë të parashikuara në buxhetin operativ, janë shpenzuar vetëm 53.8 miliardë lekë, ose 34 për qind e totalit. Mbi 104.2 miliardë lekë, ekuivalente me rreth 1.1 miliardë euro, mbeten ende të pashpenzuara.


Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, investimet në rrugë përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të realizuara, ndërsa transporti hekurudhor, menaxhimi i mbetjeve dhe emergjencat civile regjistrojnë nivele dukshëm më të ulëta. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve të pashpenzuara lidhet edhe me projektet e mëdha të mbrojtjes.


Fondi Shqiptar i Zhvillimit realizon vetëm 26.4 për qind të buxhetit

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucioni me buxhetin më të madh të investimeve, ka shpenzuar 7.8 miliardë lekë nga 29.6 miliardë lekë të planifikuara, duke realizuar vetëm 26.4 për qind të programit vjetor.


Autoriteti Rrugor Shqiptar paraqet një nivel më të lartë realizimi, prej 50.9 për qind. Shpenzimet e këtij institucioni gjatë tetëmujorit arritën në rreth 12.5 miliardë lekë, kundrejt një buxheti vjetor prej 24.5 miliardë lekësh.


Së bashku, këto dy institucione kanë rreth 33.8 miliardë lekë fonde të pashpenzuara, duke përfaqësuar afërsisht një të tretën e diferencës totale ndërmjet buxhetit të programuar dhe shpenzimeve faktike.


Në nivel programesh, rrjeti rrugor ka regjistruar shpenzime prej 17.3 miliardë lekësh, ose rreth 32 për qind të të gjitha investimeve publike të realizuara gjatë tetë muajve të parë të vitit.


Hekurudhat me realizim 9.2 për qind, mbrojtja civile vetëm 1.4 për qind

Situata paraqitet më problematike në transportin hekurudhor, ku nga një buxhet prej rreth 5.9 miliardë lekësh janë shpenzuar vetëm 540 milionë lekë, ose 9.2 për qind e programit vjetor. Edhe menaxhimi i mbetjeve urbane ka regjistruar një nivel të ulët realizimi, prej 16.2 për qind.


Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile rezulton ndër institucionet me realizimin më të ulët të investimeve. Nga një buxhet prej 2.34 miliardë lekësh, shpenzimet faktike kanë arritur në vetëm 32 milionë lekë, ose 1.4 për qind e fondeve të parashikuara.


Mbi 1,350 projekte pa asnjë shpenzim

Të dhënat e detajuara të Thesarit të Ministrisë së Financave tregojnë se 1,353 projekte me buxhet të programuar nuk kanë regjistruar asnjë shpenzim gjatë tetëmujorit. Fondet e planifikuara për këto projekte arrijnë në rreth 69.5 miliardë lekë, duke përfaqësuar 44 për qind të buxhetit total të investimeve.


Mes projekteve me vlerat më të mëdha të planifikuara, por pa shpenzime të regjistruara, janë disa investime të Ministrisë së Mbrojtjes. Këtu përfshihen blerja e një anijeje patrulluese luftarake, me buxhet 3.2 miliardë lekë, bateritë e mbrojtjes ajrore me rreze të mesme, me 2.8 miliardë lekë, blerja e një helikopteri UH-60 Blackhawk, me 2.85 miliardë lekë, si dhe një sistem raketor me rreze të mesme, me 2.43 miliardë lekë.


Për realizimin e buxhetit duhen shpenzuar 26.1 miliardë lekë çdo muaj

Niveli i ulët i realizimit gjatë tetë muajve të parë krijon mundësinë e përqendrimit të një pjese të madhe të shpenzimeve publike në fund të vitit.


Për të realizuar plotësisht buxhetin e investimeve, gjatë periudhës shtator-dhjetor do të nevojiteshin shpenzime mesatare prej rreth 26.1 miliardë lekësh në muaj. Ky ritëm do të ishte afërsisht 3.9 herë më i lartë se mesatarja mujore e regjistruar gjatë tetë muajve të parë të vitit 2026.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat